AKKSHI ka financuar 24 projekte të rëndësishme në fushat e kërkimit, zhvillimit dhe inovacionit që rrjedhin nga ASHSH-ja.
Për periudhën 2022-2023, 2023-2024 dhe 2024-2025, AKKSHI ka ndarë një buxhet prej 46 137 532 lekësh për financimin e projekteve, ndërsa ASHSH-ja, në bashkëpunim me institucione të tjera, ka kontribuar me një shumë prej 1 452 768 lekësh për bashkëfinancimin e këtyre projekteve.
Drejtoresha e AKKSHI-t, dr. Marsela Robo, prezantoi thirrjet për aplikim për projekte të ndryshme në vitin 2025, duke përfshirë Programet Kombëtare për Teknologjitë e Inovacionit (PTI) dhe Programet Kombëtare për Kërkim dhe Zhvillim (PKKZH). Ajo theksoi se në projektet që do të financohen për vitin 2025, partneritetet do të kenë një rëndësi të veçantë dhe do të kenë prioritet në procesin e vlerësimit të aplikacioneve. Kjo do të inkurajojë bashkëpunimin midis institucioneve akademike dhe organizatave të ndryshme në vend.
AKKSHI ka punuar për të afruar standardet e kërkesave të projekteve me ato të Bashkimit Europian, duke synuar rritjen e cilësisë dhe efektivitetit të projekteve të financuara. Në procesin e vlerësimit do të merret parasysh cilësia e produkteve të projektit, si dhe publikimi i rezultateve të studimeve në revista të indeksuara, për të rritur transparencën dhe promovuar rezultatet e kërkimeve.