Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ndau sot në rrjetet sociale foto nga një pikë agroturistike në Tepelenë, që po frekuentohet shumë nga vizitorët vendas dhe të huaj. Kjo pikë agroturistike ka përfituar nga lehtësirat fiskale të parashikuara për këto sipërmarrje rurale.

“Harmonia e natyrës dhe shijes në agroturizëm “Lord Byron”, në Tepelenë, ndërthurur me vlerat e mikpritjes dhe ushqimet tradicionale të gatuara plot kujdes dhe dashuri, janë kthyer në një ndalesë të preferuar që zhvillon ekonominë familjare rurale”, shkruan ministrja Denaj.

“Kjo njësi agroturistike e certifikuar, përfiton një sërë avantazhesh të parashikuara nga ligji, siç është TVSH e reduktuar në 5% për restorantin, apo vetëm 6% për pjesën e hotelit.”

Mbështetja për agroturizmin ka nxitur investitorët të ngrenë struktura akomoduese për vizitorët, të cilët, kanë shtuar numrin e turistëve në vendin tonë duke e kthyer sektorin në turizëm gjithëvjetor.