Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audivizive, Armela Krasniqi u bëri apel sot prindërve të mbrojnë fëmijët nga gjuha e urrejtjes në internet.

Në një postim në rrjetet sociale, Krasniqi tha se “interneti dhe mediet sociale na mundësojnë të lidhemi me miqtë dhe familjen, të ndjekim interesat dhe të jemi pjesë e komuniteteve. Mjerisht, të njëjtat mjete dhe platforma digjitale mund të mundësojnë gjithashtu që përmbajtjet e urrejtjes të krijohen lehtësisht, shpesh në mënyrë anonime dhe të shpërndahen gjerësisht shpejt”.

“Shtimi i kanaleve të komunikimit online ka rritur edhe mundësitë e përhapjes së efekteve të gjuhës së urrejtjes dhe, në një moment të caktuar, edhe fëmijët ndeshen me gjuhë të urrejtjes në internet. Prandaj është e rëndësishme të jeni të vëmendshëm dhe të vetëdijshëm për aktivitetet e fëmijës tuaj në internet”, tha Krasniqi.

Krasniqi u shpreh se prindërit duhet të jenë në dijeni të çfarë medie sociale, aplikacione mesazhesh dhe lojëra përdorin fëmijët dhe kë ndjekin ata në internet.

“Prindërimi digjital është kusht për fëmijë të sigurt dhe të shëndetshëm”, tha Krasniqi.