Kanioni i Holtës në Gramsh, me gjatësi 3.5 km, vitet e fundit është kthyer në një nga destinacionet më të vizituara nga turistët vendas dhe të huaj. Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga kanioni i Holtës, duke ftuar turistët ta vizitojnë atë. “Kanioni i Holtës i formuar nga erozioni i lumit të Holtës, ofron një destinacion perfekt me shpate të thepisura të mbushura me shpella karstike, si dhe gropa me ujëra termale”, shprehet Rama. Kanioni i Holtës shtrihet në shpatet e luginës që arrijnë deri në 100-150 m dhe me thellësi të ujit që shkon deri në 2-3 m. Kanioni ka shpate të thepisura të mbushura me shpella karstike, si dhe gropa me ujëra termale. Ngjyrat e shumta e bëjnë këtë bukuri natyrore një destinacion të paharrueshëm që ofron pamje magjepse me lartësi malesh, thellësi kanionesh, bimësi dhe lule të shumëllojshme, por mbi të gjitha me ujërat e freskëta që burojnë nga malet. Në shpatet e thepisura në rrjedhën e këtij lumi, gjenden shumë shpella karstike, që janë të vizitueshme nga natyralistët dhe aventurierët e ngjitjeve sportive. Veç lumit me kanionet befasuese të tij, në shpatet malore të kësaj zone gjenden pyje me drurë të rrallë panje, bredhi, pisha si dhe mjaft specie të rralla kafshësh dhe shpendësh. Kanionet e lumit të Holtës vizitohen duke u nisur nga Gramshi-Bardhan-Kabash, një rrugë disi e vështirë për makinat e ulëta, dhe ka një gjatësi rreth 18 km.