Pranë Parkut të Liqenit të Tiranës po vijon puna për ndërtimin e Qendrës Kulturore Kombëtare për Fëmijë.

E cilësuar si pol kulturor shumëfunksional për fëmijë, kjo godinë do të ofrojë një sipërfaqe të shfrytëzueshme për aktivitete social-kulturore.

Qendra do të jetë multifunksionale, duke ofruar hapësirat për aktivitete të ndryshme për fëmijët e grup-moshave 3-12 vjeç.

Kjo qendër do të ketë hapësira të dedikuara edhe për prindërit, që nga ato që ofrojnë lehtësira praktike (ambiente për ruajtjen e sendeve personale apo kënde të posaçme për ushqimin e të vegjëlve), edhe salla takimi apo multifunksionale.

Vendndodhja e kësaj qendre pranë Parkut të Liqenit krijon mundësinë e lidhjes me natyrën, duke organizuar aktivitete brenda e jashtë ndërtesës.

Ndërlidhja e fëmijëve me natyrën është pjesë e rëndësishme për zhvillimin e tyre, por edhe për kulturën e ruajtjes së mjedisit. Ndaj, hapësirat e dedikuara për aktivitetet në natyrë mund të shfrytëzohen për aktivitete të përshtatura agrokulturore, arkeologjike apo dhe artistike.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ka inspektuar sot kantierin e Qendrës Kulturore Kombëtare për Fëmijë, ku ka ndjekur nga afër ecurinë e punimeve.

Projekti ka nisur zbatimin në vitin 2023 dhe pritet të përfundojë brenda 2 viteve. Me një vlerë financimi rreth 1 miliard lekë, projekti parashikohet të mbulohet me fondet e buxhetit të shtetit.