Batalioni Xhenio i Komandës Mbështetëse ka përfunduar ndërtimin e një ure tip “Bailey” me gjatësi 18 metra.

Ura lidh fshatrat Gjoç, Rragam dhe Mazrrek të Njësisë Administrative Guri i Zi në Shkodër.

E dëmtuar nga moti i keq që shoqëroi zonën e Shkodrës disa javë më parë, ura e fshatit Rragam që lidh dy zona të tjera u rikonstruktua plotësisht nga Ndërmarrja e Shërbimeve Publike e Bashkisë Shkodër në bashkëpunim me forcat xheniere të ushtrisë.

Për administratorin e zonës dhe banorët, kjo është një punë që i shërben komunitetit për zgjidhjen e plotë të kësaj problematike të mbartur në vite.

Kjo urë e ndërtuar prej vitesh, kishte pësuar dëmtime të mëdha, ndërkohë që me reshjet e fundit u dëmtua plotësisht duke rrezikuar edhe jetën e banorëve.