Duke filluar nga 1 korriku të gjithë mjekëve, infermierëve, teknikëve të laboratorit, imazherisë, të gjithë puinonjësve të shëndetësisë që ofrojnë shërbime për qytetarët iu rritet paga me 6%. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha sot pas mbledhjes së qeverisë se “kjo është një politikë e qeverisë shqiptare, e cila siç ishte parashikuar për buxhetin e vitit 2022 hyn në fuqi nga data 1 korrik dhe shtrin efektet përgjatë gjithë vitit e në vazhdim”. “Efekti vjetor i rritjes së pagës për masën 6% është rreth 10 milionë dollarë dhe nga kjo rritje përfitojnë rreth 19 mijë mjekë, infermierë dhe profesionistë që ofrojnë shërbimin në sistemin tonë shëndetësor në atë parësor dhe spitalor, gjithashtu dhe në institucionet e ministrisë së Shëndetësisë ku bëjnë pjesë profesionistë të shëndetësisë sikurse janë epidemiologët apo punonjësit e shëndetit publik”, tha Manastirliu. Sipas ministres, politika e rritje së pagave është përfshirë në mbështetjen që qeveria ka për mjekët dhe infermierët. “Gjatë dy mandateve rritje e pagave për mjekët e infermierët ka qenë konsistente dhe në vazhdim, 63% janë rritur pagat për mjekët infermierët në këto vite dhe 40% ka qenë rritja historike për pagat në vitin 2021”, tha Manastirliu. Ministrja Manastirliu bëri të ditur se “qeveria shqiptare ka miratuar edhe një shpërblim financiar në masën 15 mijë lekë në muaj për të gjithë ata mjekë që mbarojnë specializimin dhe në bazë të kontratave me MSHMS ushtrojnë profesionin e tyre jashtë vendbanimit, pra në spitalet rajonale do të përfitojnë këtë shpërblim financiar mbi pagën. Nga kjo do të përfitojnë 300 mjekë, të cilët kanë përfunduar specializimin dhe do të mbarojnë specializimet dhe do të atashohen pranë spitaleve rajonale për të ushtruar profesionin e tyre në një periudhë 3-vjeçare sipas kontratës me ministrinë e Shëndetësisë”. Rritjen e pagave me 6% e përfitojnë mbi 19 mijë punonjës të shëndetësisë, nga urgjenca kombëtare, në shërbimin e shëndetit publik, në qendrat e kujdesit parësor dhe në shërbimin spitalor. Ky vendim i qeverisë vjen në vazhdën e politikës së rritjes së pagave të ndërmarrë në këto vite për stafet mjekësore, pagat e të cilëve janë rritur me 63%. Pas rritjes me 40% në vitin e pandemisë, rritja e pagave do të vijojë me 40% sërish në këtë mandat qeverisës, duke filluar nga viti 2022 me rritjen prej 6% të pagave. Efekti financiar i rritjes së pagave dhe shpërblimeve është rreth 10 milion dollarë dhe i shtrin efektet nga data 1 Korrik 2022
https://ata.gov.al/2022/07/06/manastirliu-rriten-me-6-pagat-per-19-mije-punonjes-te-shendetesise/