Gjatë këtij sezoni turistik numri i turistëve që vijnë me kroçera ka shënuar një fluks të lartë.
Drejtori i portit të Sarandës, Alket Qendro tha për ATSH-në se “gjatë periudhës 1 janar deri më 26 shtator në port kanë ardhur 50 tragete turistike, nga të cilat 25 kanë qenë kroçera, me turistë të kombësive të ndryshme. Pjesë e itinerarit të turistëve kanë qenë vizitat në pikat turistike të Sarandës si Butrinti, Kalaja e Lëkurësit, plazhet e shumta në qytetin bregdetar, si dhe qytetet e Gjirokastrës, Përmetit, Tepelenës etj.”.
Qendro tha se në krahasim me vitin e kaluar ka një rritje të numrit të trageteve turistike. “Në të njëjtën periudhë të vitit 2023 në port kanë ndaluar 40 tragete turistike, nga të cilat 8 kanë qenë kroçera”, shtoi Qendro.
Por, qyteti i Sarandës vitet e fundit ka tërhequr edhe shumë jahte, të cilat kanë ndaluar në brigjet e qytetit.
“Gjatë këtij viti në port kanë ndaluar 400 jahte, ndërsa vitin e kaluar ka pasur numër më të lartë, 811 jahte”, tha Qendro.
Gjatë këtij sezoni turistik nga Saranda drejt Korfuzit u shtua numri i trageteve dhe linjave, me dy kompani të reja.
Qendro vuri në dukje se “edhe këtë vit pritet që kroçerat të vizitojnë portin e Sarandës deri në muajin nëntor”.
Plazhet e kristalta të detit Jon dhe trashëgimia e pasur kulturore tërheqin çdo vit e më shumë vëmendjen e turistëve të huaj.