Përroi i Goricës në njësinë administrative Ana e Malit në Shkodër është në fazën përfundimtare të pastrimit të plotë.

Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci inspektoi nga afër punimet për pastrimin e këtij përroi.

“Ky përrua ka shkaktuar probleme dhe përmbytje në zonë për më shumë se 50 vite, por tani, në bashkëpunim me Bordin e Kullimit, po bëhet një ndërhyrje e thellë që do të zgjidhë përfundimisht këtë shqetësim dhe do të sjellë siguri për banorët e kësaj zone”, tha Beci.

Me pastrimin e përroit fermerët e zonës do të kenë gjithashtu mundësi për ujitjen e tokave të tyre bujqësore.

Rehabilitimi i përrenjve dhe kanaleve kulluese ndikon direkt në prodhimtarinë e tokës, por edhe në kullimin e shpejtë të tyre pas reshjeve të shiut, pavarësisht intensitetit.