Në nisje të muajit të ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit,  kryeministri Edi Rama u është drejtuar me një thirrje të gjitha grave dhe vajzave që të kryejnë mamografinë.

Me një fjongo rozë tetori është kthyer në simbolin e ndërgjegjësimit për më shumë vëmendje ndaj këshillave të mjekëve, për të shpëtuar më shumë jetë. Mbështetja e grave ka qenë dhe vijon të jetë një objektiv i qeverisë me politika të posaçme.

“Tetori Rozë” është muaji ndërkombëtar i ndërgjegjësimit për luftën kundër kancerit të gjirit.

Gjatë këtij muaji, organizohen fushata për të inkurajuar gratë që të kryejnë kontrolle të rregullta, si mamografia, që ndihmojnë në zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Simboli kryesor i kësaj fushate është shiriti rozë, i cili përfaqëson mbështetjen dhe solidaritetin me të prekurat nga kjo sëmundje, si dhe angazhimin për parandalim dhe kujdes të vazhdueshëm shëndetësor.

Qëllimi është të rritet numri i ekzaminimeve për kapjen e hershme të kancerit dhe për rritjen e mundësive për një shërim të plotë të gruas. Për të rritur ndërgjegjësimin, përgjatë gjithë muajit tetor, organizohen aktivitete të ndryshme, me pjesëmarrjen edhe të politikaneve, artisteve, gazetareve e të tjera gra me ndikim, të cilat japin mesazhe inkurajuese në mënyrë që kjo nismë të përqafohet nga sa më shumë gra.