Këndi i biçikletave në Parkun e Liqenit të Tiranës është një tjetër hapësirë e bukur në kryeqytet, në dispozicion të fëmijëve për edukimin me rregullat bazë të sjelljes qytetare të sigurisë rrugore, por njëherazi dhe një mjedis zbavitës për ta.
Ky kënd i bukur i projektuar me gjelbërim dhe investuar me kujdes, ku gjenden të gjitha elementet e nevojshme të sinjalistikës që shërbejnë jo vetëm për të mësuar fëmijët me rregullat e qarkullimit, ofron në të njëjtën kohë shumë relaks dhe argëtim.
Ky projekt vjen në kuadër të rritjes së ndërgjegjësimit dhe edukimit mbi sigurinë rrugore. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, vazhdon projektet e iniciativat konkrete për edukimin e fëmijëve me qëllim kryesor nxitjen e të mësuarit mbi rregullat dhe sinjalistikën e qarkullimit rrugor përmes lojës.
Procesi i të mësuarit i mbështetur në modele konkrete të sjelljes në trafik dhe i shoqëruar me shembuj të shumtë në praktikë, rrit efektshmërinë e edukimit rrugor të fëmijëve, për të kuptuar sa më qartë situatat në rrugë.