Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bëri të ditur se po punohet për një paketë ndryshimesh mbi menaxhimin e plazheve, sepse oferta gjithëpërfshirëse turistike e vendit ka ndryshuar edhe filozofinë e udhëtimeve.
Ministrja theksoi se aksesi në plazh është një e drejtë publike për secilin dhe ky parim duhet të prevalojë.
“Vizitorët e huaj apo vendas nuk qëndrojnë më nga mëngjesi deri në darkë në breg të detit, por duan të eksplorojnë edhe plazhet ngjitur, agroturizmet, sitet kulturore, shtigjet, festat e panairet lokale, trende që kanë ravijëzuar një model të ri të shfrytëzimit të plazheve, të cilat fokusohen tek e drejta për të shfrytëzuar më shumë hapësira publike ose me një kosto minimale të menaxhuar nga bashkitë”, tha Kumbaro.
Ndërkohë, sipas saj,” hotelet do të vazhdojnë të aplikojnë për parcela plazhesh nën rregullat e qarta të transparencës së çmimeve, ndryshime që do t’i pasqyrojmë e saktësojmë në një VKM brenda muajit shtator”.
“Ne kemi bërë ndryshime nga viti 2021 në 2022, ku e rritëm nga 20% në 30% hapësirën e plazheve publike. Për hir të së vërtetës, këtë vit ka qenë 50% e gjithë vijës plazh publik, por kemi menduar pas vëzhgimeve të sezonit se duhet një riorganizim i mënyrës si i japim këto”, shtoi Kumbaro.
Sipas saj, “biznesi kryesor i një operatori që do të bëjë biznes në fushën e turizmit detar nuk mund të jenë shezlongët”.
“Hoteli është biznesi kryesor, restoranti është biznesi kryesor, i cili jo domosdoshmërisht duhet të ketë një plazh. Në rastin e investimeve serioze, hoteleve të mëdha, sigurisht do t’u jepet mundësia të aplikojnë për të pasur një plazh të menaxhuar përpara në funksion të hotelit”, tha ajo.
Kumbaro sqaroi se “do të kemi më shumë hapësira publike”. “Një detyrë më të madhe për bashkitë, të cilat do të kenë një përgjegjësi të madhe të menaxhimit të këtyre hapësirave, por edhe ofrimit të shërbimeve, siç mund të jenë shezlongët apo çadrat tashmë nga bashkitë, por në mënyrë shumë më të kontrolluar”, shtoi ajo.
Së dyti, Kumbaro tha se do të jetë transparenca në çmime.
“Pavarësisht që edhe sot që flasim është kërkesë, kjo do të jetë një ndër elementet që do të kontrollohet. Prandaj një riorganizim i mënyrës se si do të aplikohet edhe si do të shpërndahen stacionet e menaxhuara nga privatët. Ajo është pak a shumë kjo që ne kemi ndërtuar gjatë gjithë gushtit dhe kryeministri e bëri të ditur e që po e përkthejmë në një VKM që do të dalë brenda shtatorit”, shtoi ajo