Kreu i Shtetit zhvilloi edhe një takim me drejtuesit e Kamp Ādaži, ku janë të dislokuar Divizioni Shumëkombësh i NATO-s për Veriun, që drejtohet nga Danimarka, si dhe Grupi i Betejës së NATO-s, në kuadër të prezencës së përparuar që drejtohet nga Kanadaja.
Begaj vlerësoi përkushtimin e kontingjentit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Ai vlerësoi kontributin, përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre duke theksuar se ata janë krenari e Shqipërisë dhe me veprën e tyre lartojnë flamurin dhe emrin e saj në botë.

Gjatë bisedës me ushtarakët, Begaj shprehu mirënjohje për sakrificat e tyre, duke i garantuar mbështetjen e tij dhe të shtetit për pjesëmarrjen në këtë mision që nderon Shqipërinë e rreshtuar në bllokun e Aleancës kundër agresionit rus në Ukrainë.

Kreu i shtetit rikonfirmoi angazhimin për shtimin e kontributit ushtarak të Shqipërisë në përputhje me nevojat dhe kërkesat e Aleancës.

Gjatë vizitës në Kamp Adazi, Presidenti i Republikës nderoi dy Dëshmorët e Atdheut që ranë në krye të detyrës në vitin 2019, Nëntetar Zarife Hasanaj dhe Major Klodian Tanushin, duke kryer homazhe në memorialin e tyre.