Qendra Kombëtare e Kinematografisë së Shqipërisë i është bashkuar zyrtarisht familjes së DAEF (Drejtuesit e Agjencive Evropiane të Filmit) si anëtarja më e re e saj.
Në takimin e fundit të kryesisë që u mbajt në Festivalin e Filmit të Venecias, vendimi për pranimin e QKK-së ishte unanim, duke e fuqizuar edhe më tej rrjetin e agjencive evropiane.
Kryetari i QKK-së, Eol Çashku, shprehu besimin se ribashkimi i kontinentit evropian kalon para së gjithash nga kultura dhe dija.
Për këtë arsye, vijoi ai, DAEF përbën një instrument të shkëlqyer për të ndarë njohuritë dhe praktikat më të mira me qëllim nxitjen e mbështetjes dhe përkrahjes për krijimtarinë kinematografike evropiane.
“Kemi kënaqësinë të mirëpresim Shqipërinë në familjen tonë evropiane. Presim me padurim një bashkëpunim të frytshëm”, deklaroi Chris Marcich, president i EFAD-it.
QKK, e themeluar më 1997, është i vetmi institucion publik kushtuar financimit, nxitjes, dhe përkrahjes së produksionit të kinematografisë dhe audiovizualit në Shqipëri.