Fondi i vyer i veprimtarisë letrare të shkrimtarit të madh Ismail Kadare do të ruhet në një pavijon të veçantë të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.
Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido dhe vajza e shkrimtarit të madh Gresa Kadare folën sot mbi rëndësinë e ruajtjes së këtij arkivi pranë DPA-së.
Bido u shpreh se është “nder dhe kënaqësi për DPA që tashmë është pasuruar me një fond të veçantë të Ismail Kadaresë, dorëshkrime të rralla të cilat shkrimtari ynë i madh kombëtar i ruante në shtëpinë e tij dhe e kanë shoqëruar kudo që ka shkuar në Francë, në Durrës apo në Tiranë”.
“Dua të falëndeorj veçanërisht familjen e shkrimtarit të madh Gresën, Helenën dhe Besianën që vendosën t’ia besonin DPA-së ruajtjen e kësaj pasurie deri në çastin që do të vendosin se çfarë do të bëjnë”, u shpreh Bido.
Sipas tij, “të gjitha këto dorëshkrime tashmë janë pjesë e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave për ruajtje, restaurim dhe digjitalizim, si një hap i rëndësishëm për të mos pasur ansjë lloj problematike me humbjen e pasurive të mëdha kombëtare”.
Bido theksoi se në këto vite DPA ka pasur dhurime të personaliteteve të mëdha të historisë sonë që nga Lasgush Poradeci e me radhë.