LUZAT’ART është iniciativa më e fundit që është ndërrmarrë nga Fondacioni “Kalo” dhe bashkia e Tepelenës për krijimin e një modeli të ri zhvillimi të fshatrave, i cili vjen për herë të parë në Shqipëri si një model unik në promovimin e jetës së fshatit, ndërthurur me bukuritë natyrore dhe traditat shqiptare.

Bashkia e Tepelenës përmes rrjeteve sociale bën të ditur se prej 3 muajsh tashmë ka nisur puna në fshatin Luzat, për rivitalizimin e shkollës së fshatit, e shndërruar nga një objekt jofunksional, në qendër për zhvillimin e ideve dhe artit pa cenuar funksionin bazë të saj. Kjo u arrit falë kontributit vullnetar të Fondacionit “Kalo”.

“Aktualisht po finalizohet edhe aktiviteti i parë promovues, i cili nis në 12 gusht 2024, në një turne 3-ditor, ku rreth 15 artistë të mirënjohur kombëtarë dhe ndërkombëtarë do të qëndrojnë në shtëpitë e banorëve në Luzat, për të hedhur në telajo peizazhin e mrekullueshëm të maleve dhe jetës në luginën e Vjosë-Drinos”, vijon postimi.

Luzati përmes artit mural, instalacioneve, harmonizimit të pamjes së rrugëve, objekteve publike dhe private dhe ideve të tjera krijuese, synon të përcjellë një model krejtësisht të ri në plan afatgjatë dhe t’i mundësojë banorëve dhe zonës një hapësirë të re promovuese turistike.

Ky fshat mban numrin më të lartë të familjeve të reja që jetojnë si rezidentë dhe kjo është një shtysë akoma më e madhe për konkretizimin e platformës.