Shkëmbimi në shkallë të gjerë të të burgosurve midis Rusisë dhe disa vendeve perëndimore nuk ndikon në përpjekjet e mundshme diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë, tha këshilltari i Sigurisë Kombëtare në SHBA, Jake Sullivan.
Sullivan tha se ai nuk sheh asnjë lidhje midis negociatave midis Rusisë, Bjellorusisë dhe disa vendeve perëndimore për shkëmbimin e të burgosurve dhe luftës midis Rusisë dhe Ukrainës fqinje.
“Ne nuk shohim një lidhje midis … negociatave të personave të ndaluar dhe çdo diplomacie të mundshme për luftën në Ukrainë”, tha Sullivan në Uashington kur u pyet nga një gazetar nëse negociatat e suksesshme mund të nxisnin gjithashtu bisedimet e paqes.
Rusia, Bjellorusia dhe disa vende perëndimore shkëmbyen gjithsej 26 të burgosur në aeroportin e Ankarasë – në një operacion të paprecedentë që përfshin Organizatën Kombëtare të Inteligjencës së Turqisë (MIT).
Në këmbim të lirimit të të burgosurve politikë dhe kritikëve të Kremlinit, Gjermania, SHBA-ja dhe vendet partnere liruan aktorë nga Rusia të dyshuar për spiunazh, përveç një personi që po vuante një dënim të përjetshëm në Gjermani – për vrasjen e një çeçeni të mërguar në mes të ditës – në një park qendror në Berlin në vitin 2019.