Qyteti antik i Apolonisë po tërheq turistë nga e gjithë bota për trashëgiminë e tij të pasur historike dhe kulturore.

“Ne e dimë që Shqipëria është një vend në zhvillim për turistët dhe e pamë në internet . Ne duam të vizitojmë çdo vit një vend, ndaj vendosëm këtë vit për Shqipërinë. Na pëlqejnë fotot dhe gjërat që keni dhe planifikojmë të bëjmë një udhëtim në të gjithë Shqipërinë. Filluam në Tiranë, shkuam në jug, pastaj shkuam në plazh dy-tre ditë. Tani kemi në plan të shkojmë në veri”, u shpreh një turist spanjoll.

Ai theksoi se gjatë udhëtimit në Shqipëri zbuluan se Apolonia është një nga vendet më interesante për t’u vizituar në këtë vend.

“Është një vend që patjetër duhet vizituar nëse ju pëlqejnë vendet historike. I duam gjërat tipike turistike, por duam gjithashtu edhe ndërtesat e lashta dhe historinë. Dhe ju keni shumë histori mbresëlënëse”, vijoi ai.

“Na pëlqejnë muzetë dhe historia dhe erdhëm këtu për të parë se si është. Duket shumë në formë dhe shumë interesante. Mendoj se do t’i sugjeroja familjes time Shqipërinë. Ndoshta do të kthehemi se kemi vetëm një javë kohë, kështu që do të bëjmë vetëm pjesën jugore. Ndoshta vitin e ardhshëm do të kthehemi të bëjmë edhe pjesën veriore”, u shpreh një tjetër turist.

Apolonia në Fier është një nga sitet më të mëdhenj të Shqipërisë, por edhe një nga qytetet më të mëdhenj në botën antike. Si një nga 27 Apolonitë e pellgut të Mesdheut, ajo është një nga vlerat e perlat e trashëgimisë tonë arkeologjike.

Arkeologët e quajnë Apoloninë “Pompei i Shqipërisë”, pasi vetëm 10% e territorit të qytetit të dikurshëm është zbuluar deri më sot.