Krijimi i një kolane të letërsisë së kujtesës, për të rritur dhe fëmijë është në planet e bashkëpunimit mes AIDSSH dhe Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.
Drejtoresha e QKLL, Alda Bardhyli dhe Gentiana Sula, kryetarja e Autoritetit të Dosjeve, zhvilluan një takim për bashkëpunimet dhe për realizimin e aktiviteteve të përbashkëta promovuese në fushën e njohjes së të kaluarës, përmes librit dhe leximit, pjesëmarrjes së librit të AIDSSH-së në panaire kombëtare dhe ndërkombëtare.
Drejtoresha e QKLL, Ada Bardhyli tha se janë aktivitete që do t’i shërbejnë librit dhe leximit. “Krijimi i një kolane për letërsinë e kujtesës dhe mbështetja e AIDSSH me botime të kësaj tematike, si për të rritur dhe për fëmijë përmes programeve tona, promovimi dhe shpërndarja e tyre, do të nxisë prurje serioze që do të ndihmojnë jo vetëm në ndriçimin e jetës së figurave të rëndësishme dhe ngjarjeve të së shkruarës, por do t’i shërbejë dhe librit e leximit”, tha Bardhyli.
Ndërsa kryetarja e Autoritetit Gentiana Sula tha se përmes klubeve të librit “Mësojmë nga e kaluara”, AIDSSH e kthen një ditar në fakt historik. Bashkëpunimi do të vijojë me realizimin e klubit të librit “Mësojmë nga e kaluara” në Porto Palermo, një kamp improvizuar internimi në vitet 1949-1950, ku do të sillen dëshmitë dhe vizatimet e Lek Pervizit, dëshmia e Lek Mirakajt, bashkëvuajtës në këtë kamp internimi.
Rreth 240 vetë u mbajtën në kushte çnjerëzore në burgun e bodrumit të kalasë së famshme të Ali Pashë Tepelenë, që sot vizohet nga mijëra turistë. Autoriteti synon të afrojë lexuesit e rinj me autorë të cilët përmes letërsisë rrëfejnë anën e panjohur dhe të pajetuar të një periudhe të errët të historisë.
Kolana e librit të kujtesës do të mundësohet të jetë pjesë edhe e muzeve historike të vendit që vizitohen aq shumë nga shqiptarët dhe fëmijët e tyre që jetojnë jashtë vendit.