Banka e Shqipërisë dhe Banka Botërore kanë nisur punën për përgatitjen e rregullores së re, për mbrojtjen e konsumatorëve nga bankat dhe jo-bankat në rastet e marrjes së kredisë.
Banka e Shqipërisë bëri të ditur se drafti i parë i kësaj rregulloreje do të bëhet publik në shtator të këtij viti, pasi të konsultohet me të gjitha institucionet dhe pritet të hyjë në fuqi në vitin e ardhshëm.
Sipas BSH-së, disa nga masat që do të përfshijë kjo rregullore, do të kenë në fokus klientët që nga mosha 18 vjeç e deri tek ata me aftësi ndryshe. Përveç kufizimeve aktuale për normën maksimale të interesit dhe për maksimumin e penaliteteve, rregullorja e re do të përfshijë edhe kufizime të klientelës, mbi bazën e analizës financiare.
Pjesë e rregullores do të jetë krijimi i një liste klientësh të cilët nuk do mund të marrin kredi. Po ashtu, do të kufizohet numri i kredive që do të mund të marrë një klient.
Banka e Shqipërisë informoi se, kufizimet do të bëhen duke marrë shkak nga analizat që janë bërë për rastin e MCA e Final, ku rezultoi se gjendja është rënduar më shumë tek ata klientë që kishin disa kredi. Pasi është numri i kredive që shpesh ka ndikuar në moskthimin e kredive, pasi nuk ka aftësi paguese.
Sa i takon ndryshimeve ligjore për t’i kthyer kufizimet e penaliteteve dhe të tavanit të interesave në ligje, sipas bankës këto janë nisma që duhet të ndërmerren nga Ministria e Financave.