Ministria e Brendshme njoftoi ,se në Kukës është mbajtur një takim për të diskutuar masat për parandalimin, rritjen e bashkëpunimit dhe përballimin e situatave të zjarreve gjatë stinës së verës në sipërfaqet pyjore dhe kullota. Sipas njoftimit, takimi ka pasur në qendër të vëmendjes disa pika kyçe, si rritja e bashkëpunimit midis strukturave të qarkut për të përballuar situatat e zjarreve në pyje gjatë sezonit veror; forcimi i masave parandaluese dhe reagimit për të adresuar situatat e mundshme të zjarreve në pyje dhe kullota, duke u bazuar në udhëzimet e Drejtorisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin (MZSH); përmirësimi i gatishmërisë së forcës reaguese, përfshirë punonjësit, automjetet, mjete dhe pajisjet e ndërhyrjes zjarrfikëse; vendosja dhe funksionimi i stacioneve provizore zjarrfikëse në zonat turistike bregdetare, për të siguruar gatishmëri gjatë periudhës së sezonit turistik. Ministria e Brendshme sqaron se Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin po koordinon takime me autoritetet vendore dhe agjencitë e zbatimit të ligjit në të 12 prefekturat e vendit, në përpjekje për të ndërmarrë masat parandaluese të nevojshme për të reduktuar rrezikun nga zjarret në këtë stinë kritike.