Faza e dytë e specializimeve për mjek urgjence dhe familjeje

0
9

Universiteti i Mjekësisë në Tiranë ka rihapur aplikimet për specializime për mjek urgjence dhe familjeje. Ministrja e e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu bëri të ditur sot se për herë të parë këtë vit janë programet e specializimit për “mjek urgjence” dhe “mjek familje” pa konkurrim. Ajo informoi se studentët që do të shpallen fitues, do të paguhen me 100% të pagës së mjekut specialist gjatë gjithë kohës së studimit. “Nëse keni mbaruar studimet për mjekësi të përgjithshme dhe jeni në kërkim të një specializimi, ju ftojmë të bëheni pjesë e skuadrës sonë të shëndetësisë në fazën e dytë të aplikimit në dy degë prioritare. Këtë vit, për herë të parë kemi hapur programet e specializimit për “mjek urgjence” dhe “mjek familje” pa konkurrim. Studentët që do të shpallen fitues, do të paguhen me 100% të pagës së mjekut specialist gjatë gjithë kohës së studimit”, u shpreh ministrja Koçiu në një postim në rrjetet sociale. Këto programe specializimi, vuri në dukje ministrja, ofrojnë mundësi të shkëlqyera për zhvillimin profesional dhe përmirësimin e aftësive në trajtimin e emergjencave mjekësore dhe kujdesin parësor shëndetësor. “Qëllimi ynë mbetet rritja e cilësisë së shërbimeve shëndetësore pranë vendbanimit duke përgatitur profesionistë të aftë dhe të specializuar në këto fusha të rëndësishme”, shtoi Koçiu. Afati i aplikimit për dy degët e specializimit në fushën e mjekësisë është nga data 18-24 qershor.