Ish-astronauti amerikan, William Anders, i cili ishte pjesë e misionit ”Apollo 8” dhe që ishte i pari që fotografoi ”lindjen” e Tokës, vdiq në një aksident me avion në veriperëndim të Seattle, raportoi media amerikane, që citonte djalin e tij. Anders ishte 90 vjeç. ”Ai po fluturonte i vetëm me një avion të vogël, kur u rrëzua në brigjet e shtetit të Uashingtonit”, sipas raportimeve. Autoritetet kanë nisur një hetim për shkakun e rrëzimit. Gjatë misionit ”Apollo 8”, Anders shkrepi foton e famshme ”Earthrise” e cila përshkruan Hënën me Tokën që “ngrihet” në hapësirë. Imazhi është vlerësuar me ndryshimin e perceptimit njerëzor për planetin dhe u bë një simbol për brishtësinë e Tokës. Disa madje e konsiderojnë atë si origjinën e lëvizjeve të sotme mjedisore. ”Anders i ofroi njerëzimit ndër dhuratat më të mëdha që mund të bëjë një astronaut”, shkroi shefi i NASA-s, Bill Nelson. “Ai udhëtoi në pragun e Hënës dhe na ndihmoi të gjithëve të shohim diçka tjetër: veten tonë. Ai mishëroi mësimet dhe qëllimin e eksplorimit. Do të na mungojë”, shtoi ai në X. Pas karrierës së tij në NASA, Anders shërbeu si këshilltar presidencial dhe ambasador. Ai gjithashtu ka punuar për kompani të ndryshme të energjisë bërthamore dhe aviacionit. Së fundmi, Anders jetonte në ishujt San Juan pranë shtetit të Uashingtonit, në bregun veriperëndimor të SHBA. Ai ishte i martuar dhe kishte gjashtë fëmijë.
Anders, astronauti që fotografoi ”lindjen” e Tokës
RELATED ARTICLES