734 individë të dallëndyshes faqebardhë të detit në liqenin e Shkodrës

0
1

Liqeni i Shkodrës përfaqëson mjedisin e vetëm në Shqipëri ku gjendet një koloni e dallëndyshes faqebardhë të detit ose siç quhet në gjuhën shkencore Chlidonias hybrida. Për të pestin vit radhazi në brigjet e Rezervatit Natyror të Menaxhuar “Liqeni i Shkodrës” Administrata e Zonave të Mbrojtura Shkodër kreu censin e kësaj dallëndysheje. Vendet ku u realizua monitorimi dhe numërimi i tyre ishin: Shegan, Flakë, Kamicë dhe Bregu i Rërës. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha se gjatë monitorimit janë numëruar 734 individë, ose e përkthyer në çifte, 367 çifte, të cilët janë në prag folezimi. Dallëndyshja e detit faqebardhë folezon në mjedise ujore, mbi zambakë, në thellësi rreth 1 m. Fauna e liqenit të Shkodrës është e shumëllojshme dhe e pasur me 45 lloje peshqish e 270 lloje shpendësh. Këto shpendë përbëjnë 87 % të gjithë Ornitofaunës të Shqipërisë.