Epidemiologu: Viroza të ndryshme aktualisht në Shqipëri
Në vendin tonë po qarkullon një virozë për të cilën shumë mendojnë se mund të jetë një variant i koronavirusit, për shkak të simptomave të ngjashme apo kohëzgjatjes së periudhës së sëmundshmërisë.
Epidemiologu Ilir Alimehmeti ka treguar se aktualisht në Shqipëri janë në qarkullim disa viroza të ndryshme, të cilat janë të vështira për t’i dalluar nga njëra tjetra, e sidomos kur nuk testohen të prekurit.
Gjatë një intervistë për Klan, ai tha: “Me fillimin e vjeshtës, jemi ne të cilët fillojmë futemi në ambiente të brendshme, qëndrojmë më shumë me njëri-tjetrin, jemi më afër, vende më të grumbulluara dhe është krejtësisht normale për çfarëdolloj viroze. Patjetër nuk është akoma sezoni i gripit, ai do vijë kur të jetë dimri, ka sezonin e vet ajo punë. Sa i përket virozave, ka të ndryshme, po pak a shumë me të gjitha, të njëjtat simptoma po kanë. Është shumë e vështirë të dallosh njërën nga tjetra, a është një grip i lehtë, një ftohje e lehtë, a është një Sars Cov 2, pra një formë e lehtë e Covid. Nëse nuk i teston, nuk dallon dot është njëra apo tjetra sepse kanë të njëjtat simptoma. Pra pak dhimbje gryke, pak bllokim hundësh, teshtime, një temperaturë e lehtë, që zgjat 1-3 ditë, janë të gjitha shenja që ne i quajmë jo specifike.”
Sidoqoftë, mjeku Alimehmeti thotë se tashmë sëmundja paraqitet shumë më e lehtë dhe kjo vjen si rrjedhojë e imunitetit që tashmë ka krijuar pjesa më e madhe e popullsisë.
“Ajo që kemi para syve të gjithëve është që numrat e rasteve të rënda që kemi parë vitet e shkuara është tmerrësisht shumë e vogël, pra nuk flitet fare një diskutim të këtij tipi. Pra sëmundja paraqitet shumë më e lehtë dhe kjo vjen si rrjedhojë e imunitetit natyror të krijuar, sepse shumica dërrmuese e popullatës e ka kaluar mos 1 herë, 2 herë këtë virus”.