Numri i gazetarëve të burgosur në mbarë botën arriti një rekord të ri në vitin 2022 me 533 të tillë, rreth 40 më shumë se vitin e kaluar (488), sipas raportit vjetor të Gazetarëve Pa Kufij (Reporters sans frontieres – RSF). Numri i gazetarëve të vrarë është gjithashtu në rritje (57), veçanërisht për shkak të luftës në Ukrainë, ndërsa ishte “historikisht i ulët” në 2021 (48) dhe 2020 (50). Më shumë se gjysma e gazetarëve të arrestuar në botë deri më 1 dhjetor janë nga pesë vende, Kina (110), Burma (62), Irani (47), Vietnami (39) dhe Bjellorusia (31). ”Irani është i vetmi vend që nuk ishte pjesë e kësaj liste të zezë vitin e kaluar”, thekson OJQ-ja, e cila e mban këtë raport vjetor që nga viti 1995. Republika Islamike në fakt ka burgosur një numër “të paprecedentë” profesionistësh të medias në 20 vjet që nga lëvizja e protestës që shpërtheu në shtator. Tridhjetë e katër gazetarë të rinj iu bashkuan 13 që tashmë ishin arrestuar përpara se të fillonin protestat. ”Regjimet diktatoriale dhe autoritare po i mbushin më shpejt burgjet duke burgosur gazetarët”, denoncoi Christophe Deloire, sekretar i përgjithshëm i OJQ-së për mbrojtjen e lirisë së shtypit. Brenda këtij vlerësimi gjithëpërfshirës global, RSF vë në dukje një numër të paprecedentë gazetaresh të burgosura, 78 (nga 60 vitin e kaluar). “Gazetaret tani përbëjnë pothuajse 15% të të burgosurve, nga më pak se 7% pesë vjet më parë”, sipas RSF-së.https://ata.gov.al/2022/12/14/fokus-rsf-533-gazetare-te-burgosur-ne-mbare-boten-nje-rekord-i-ri/