Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi tha sot se deri më tani forcat e emergjencave civile kanë menaxhuar 397 vatra zjarri në të gjithë Shqipërinë dhe aktualisht është vënë në kontroll situata edhe në dy vatrat e zjarrit që u shfaqën së fundi këtë fundjavë në Dropull dhe Finiq. I pranishëm në takimin me drejtues të pushtetit vendor për gatishmërinë dhe masat e emergjencave civile mbi situatën e zjarreve në këtë sezon veror, ku i pranishëm ishte dhe kryeministri Rama, Peleshi tha se, “nuk ka bashki imune ndaj emergjencave dhe konkretisht nga vatrat e zjarrit.
Vitin e kaluar 60 nga 61 bashki të vendit u prekën nga zjarret. Por ky vit pritet të jetë edhe më i nxehtë, ndaj kujdesi dhe angazhimi duhet të jetë edhe më i shtuar”. Ai tha se, deri tani rreth 400 vatra zjarri janë menaxhuar pa asnjë jetë të humbur dhe shtëpi të dëmtuar. Prioritet është jeta e qytetarëve. Normalisht ka dëme në bimësi por jo zjarre në zonat e mbrojtura apo pasuri natyrore. “Beteja e fundit është në Dropull dhe Finiq ku ka rrezikuar të shkojë zjarri edhe në zonën e mbrojtur, por situata është vënë në kontroll”, u shpreh Peleshi. Ministri tha se, “vatrat më kritike gjatë këtij sezoni kanë qenë: Sazani, Oroshi- Mirditë, Mali i Çikës-Berat dhe një në Durrës”. Peleshi kërkoi që bashkitë të organizohen menjëherë në territor për shuarjen e zjarreve, teksa informoi se, deri tani MM ka angazhuar 6977 forca, 2750 forca zjarrëfikëse, 415 forca nga Policia e Shtetit, 1200 forca vullnetare, 786 forca bashkiake, 378 forca nga shërbimi pyjor, 1300 forca të armatosura me 39 mjete.