Sunday, November 24, 2024
HomeSOCIALENDERKOMBETARE4 890 viktima nga tërmeti në Turqi dhe Siri

4 890 viktima nga tërmeti në Turqi dhe Siri

Turqia ka përditësuar numrin e të vdekurve në 4 890 në vendin e saj dhe Siri, njoftuan autoritetet respektive lokale, të cituar nga media ndërkombëtare. Orhan Tatar, menaxher i përgjithshëm departamentit të reduktimit të rrezikut në kuadër të Agjencisë së Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave të Türkiyes (AFAD), tha se gjithsej 5 606 ndërtesa u shembën. Ai gjithashtu tha se 6 800 persona u shpëtuan nga rrënojat. Tatar theksoi se 250 milionë lira turke (rreth 13,3 milionë dollarë) fonde emergjente janë dërguar në provincat në zonën e fatkeqësisë deri më tani. Ai shtoi se si një “vendim thjesht parandalues”, Kompania Turke e Naftësjellësit (BOTAS) ndaloi rrjedhën e naftës së papërpunuar në rajon. Sipas AFAD-it, në rajon është përcaktuar personel kërkim-shpëtimi i përbrë prej rreth 9 700 personash. “Shteti ynë ka marrë masa me të gjitha institucionet e tij që nga tërmeti. Të gjitha burimet janë mobilizuar”, tha presidenti Erdogan, në zyrën e AFAD-it në Ankara. ”Ministria e Brendshme dhe Ministria e Shëndetësisë, AFAD, udhëheqjet e provincave dhe të gjitha institucionet e tjera filluan punën e tyre me shpejtësi. Ne gjithashtu po koordinojmë punën pas tërmetit. Shpresojmë që së bashku ta kalojmë këtë fatkeqësi sa më parë dhe me sa më pak dëme dhe të vazhdojmë punën tonë”, theksoi ai. AFAD tha se Turqia lëshoi një alarm të nivelit 4, që përfshin një thirrje për ndihmë ndërkombëtare. Pas një diskutimi me Ministrinë e Punëve të Jashtme, AFAD gjithashtu tha se ndihma ndërkombëtare kërkohet përmes Qendrës së Koordinimit të Reagimit Emergjent (ERCC). “Oferta të ndihmës u morën nga shumë vende, veçanërisht Holanda, Azerbajxhani dhe BM”, theksoi AFAD. Ndërkohë, personeli i kujdesit shëndetësor i përcaktuar nga Ministria e Mbrojtjes Kombëtare dhe Ministria e Shëndetësisë u nisën nga Ankaraja për në rajon me dy avionë të ambulancës ushtarake. Përveç ekipeve të shpëtimit, në rajon u dërguan edhe batanije, ushqime dhe ekipe të mbështetjes psikologjike. Pas tërmetit, një korridor i ndihmës ajrore u krijua nga Forcat e Armatosura Turke për të dërguar ekipet e kërkim-shpëtimit në rajon. “Ne mobilizuam avionët tanë për të dërguar ekipet mjekësore, ekipet e kërkim-shpëtimit dhe automjetet e tyre në zonën e tërmetit. Ne kemi maksimizuar gatishmërinë e avionëve për të ofruar shërbimin e nevojshëm të transportit”, tha ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar. Një numër i madh avionësh transporti, përfshirë një A-400M i Forcave të Armatosura Turke, filluan të dërgojnë ekipe dhe automjete të kërkim-shpëtimit në rajon. Akar tha se avionët e ambulancës po ashtu po përdorin korridorin e ndihmës ajrore. Ministri turk i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, tha se një numër i mjaftueshëm ekipesh nga të 81 provincat janë në detyrë në zonat e fatkeqësisë dhe vazhdojnë shërbimet e tyre të kërkim-shpëtimit dhe ato shëndetësore. “Ambulancat tona ajrore dhe tokësore gjithashtu janë në shërbim në rajon. Aktualisht po kryejmë koordinimin nga Hatay, një nga provincat e prekura nga fatkeqësia e tërmetit”, njoftoi ministri Koca në rrjetet sociale.ATSH

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments