Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Edona Bilali u ndal sot te disa nga arritjet gjatë vitit 2022, ku prioritet ishte përmirësimi i klimës së biznesit. Gjatë analizës vjetore dhe prezantimit të objektivave për vitin 2023, Bilali theksoi se gjatë vitit që kaloi u rishikua kuadri ligjor për startup-et, për normandët dixhitalë, si dhe ka nisur rimodelimi i ligjit për Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë, i cili pritet të miratohet në Kuvend brenda 9 muajve të ardhshëm. Duke u ndalur te startup-et, Bilali theksoi se ato dallojnë nga bizneset e reja nga elementi i inovacionit ndaj edhe qeveritë kudo në botë vendosin të investojnë në këto ide. “Çelësi i parë i suksesit është pasaporta e startup-it. Janë gjeneruar në total 1299 pasaporta. Janë asistuar 115 aplikantë për thirrjen e parë e cila ka pasur një buxhet të dedikuar prej 300 milionë lekësh. Në total kishte 58 fitues të ndarë në dy kategori, 29 startup-e dhe 29 lehtësues. Në thirrjen e parë janë mbështetur 7 bashki, 4 universitete, një shkollë e mesme profesionale publike etj”, tha Bilali. Ministrja u shpreh se “34% e fituesve në thirrjen e parë ishin gra dhe vajza dhe 38% ishin të kthyer nga emigrimi, me një moshë mesatare 34 vjeç”. “Për sa i përket sektorëve fitues kryeson teknologjia e informacionit dhe komunikimit, por kemi përfitues në robotikë, fintech, shërbime online etj”, tha ajo. Bilali u ndal te 3 shembuj suksesi siç ishte rasti i mbështetjes të një individi që për herë të parë ka prodhuar një makineri që më parë importohej dhe i shërben drejtpërdrejt fermerëve në fushën e bujqësisë. Pajisja është e certifikuar sipas të gjitha standardeve të BE-së dhe brenda 10 ditësh do të eksportohet. Një tjetër histori suksesi sipas saj, është aplikacioni POK me pagesa me 0 komision, i cili është aktualisht funksional në Shqipëri. Qytetarët mund të bëjnë pagesa të faturave të dritave, ujit etj por edhe pagesa në zinxhirët e supermarketeve ushqimore por edhe veshjeve. Po ashtu, Bilali veçoi si histori suksesi platformën për listimin e pjesëve të këmbimit të automjeteve dhe shitjen e tyre online brenda dhe jashtë vendit. ATSH