Aktiviteti u organizua nga Ambasada e Suedisë, e cila ka financuar projektin LED për një sistem inovativ për tharjen e bimëve medicinale, si dhe fondacioni “Bashkojmë Vlerat e Natyrës me Njerëzit”.

I pranishëm në aktivitet, prefekti i qarkut Korçë, Nertil Jole, përmendi potencialin e madh të rajonit të Korçës në prodhimin e BMA-ve, rajon ku edhe projekti LED pati një fokus të veçantë, duke bashkëpunuar me 4 kompani që merren me grumbullimin, përpunimin dhe eksportin e tyre, si “Çibuku” në Korçë, “MollAlb” në Kolonjë, “Shaholli” në Devoll dhe “Natural Herbal” në Maliq.

“Në partneritet me këto kompani projekti ka mbështetur rreth 200 familje me fara dhe fidanë për kultivimin e BMA-ve, si dhe ka investuar në ndërtimin e 4 pajisjeve moderne për proceset e tharjes, në të cilat kanë akses rreth 1000 familje në gjithë rajonin tone”, u shpreh prefekti Jole, duke theksuar se, investimi ka rritur me 30% të ardhurat për këto familje si pasojë e rritjes së cilësisë dhe uljes së humbjeve.

Prefekti përmendi mundësitë e shumta për zhvillimin e këtij sektori, por edhe sfidat. Gjatë takimit, Jole kërkoi të merret në konsideratë krijimi i partneriteteve në formën e një “federate” me bashkim kapitali për këtë nën-sektor të rëndësishëm të bujqësisë.

Bashkëpunimi më i mirë midis subjekteve paralele në këtë zinxhir, sigurimi i një daljeje më të sigurt në tregje të huaja, marketimi dhe mbrojtja e origjinës së produkteve, ishin një pjesë e ideve që u hodhën në këtë takim.