Sunday, November 24, 2024
HomeSPORT-KULTURE-ARTKULTURE169 objekte të trashëgimisë kulturore në restaurim

169 objekte të trashëgimisë kulturore në restaurim

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, zhvilloi sot një seancë dëgjimore me ministren e Kulturës, Elva Margariti, për sitet e trashëgimisë kulturore në Republikën e Shqipërisë. Ministrja e Kulturës, gjatë fjalës së saj në komision u shpreh se, nga viti 2019 deri në vitin 2022 i janë nënshtruar restaurimit 169 objekte të trashëgimisë kulturore, të cilat janë realizuar me fondet e buxhetit të shtetit dhe të donatorëve. Margariti nënvizoi se, bëhet fjalë për ndërhyrje në qendra historike, ansamble historike urbane, objekte kulti dhe banesa popullore. “Shpërndarja është në të gjithë Shqipërinë dhe tipologjia e objekteve është e larmishme. Në listën e gjatë që do veçoja atë që spikat, për dashamirësit dhe impaktin që ka pasur, jo vetëm në ripërtëritjen e monumentit por edhe në jetën artistike, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit, Teatri i Kukullave në qendër të Tiranës, Universiteti i Arteve që u restaurua objekti me buxhetin e shtetit dhe sot jemi në pjesën e brendshme të sallës së Akademisë së Arteve, Piramida po ashtu ndërsa Xhubleta ka qenë kryelajmi për vitin 2022”, u shpreh Margariti. Ndërsa deputetja Ina Zhupa, pyeti ministren e Kulturës në lidhje me menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit, nëse ka pasur një rregullore në lidhje me procedurat e përzgjedhjes së bordit. “Paguheni nga taksat e taksapaguesve shqiptarë, kam një interpelancë me ju, interpelancën kur ta zhvillojmë do flasim gjerësisht dhe për çështje të tjera”, deklaroi Zhupa. Margariti, nënvizoi se, bordi i Butrintit dhe anëtarët e këtij bordi përfitojnë zero lekë. “E shkruar kudo, në çdo marrëveshje dhe element të depozituar. Askush nuk përfiton asgjë”, u shpreh Margariti. Ministrja iu përgjigj edhe disa pyetjeve të deputetëve për Urën e Zogut. “Kemi ngritur një grup ndërinstitucional të përbërë edhe nga inxhinierë ndërtimi të Fakultetit të Inxhinierisë të Universitetit Politeknik. Kemi një grup të përbërë nga inxhinierë dhe Instituti i Gjeologjisë, ARRSH, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kultutrore, dhe Ministria e Kulturës ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me inxhinierët e Institutit të Ndërtimit që kanë hartuar një relacion paraprak dhe një studim të hapave dhe projektit të ndërhyrjes në urë. Për shkak të reshjeve të fundit informacionet ndryshuan por Ministria e Kulturës do financojë projektin që do hartohet nga inxhinierët e ndërtimit”, u shpreh Margariti. ATSH

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments