Në kuadër të nismës “Ballkan i Hapur”, në Beograd u mbajt për herë të parë Panairi i Verës, ku morën pjesë 22 kantina prodhuese shqiptare të verërave si dhe kantina nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Bashkë me seancat e degustimit si dhe takimet dypalëshe mes prodhuesve, në ditën e tretë të panairit u zhvillua një konkurs me pjesëmarrjen e mbi 600 llojeve të ndryshme verash nga kantinat e rajonit në prani të një jurie profesioniste të cilën e drejtonte Carolinë Gilby nga Britania. Në mesin e gjithë pjesëmarrësve vera e kuqe shqiptare e Kantinës “Nurellari” u vlerësua me medalje floriri. Po ketë medalje për verën e bardhë e mori edhe Kantina “Faba”. Me 7 Medalje Argjendi u vlerësuan kantinat: Duka, Belba, Faba, Nurellari, Medaur, Belba dhe 3 Medalje Bronzi u dhanë për Belba, Medaur, Duka. Panairi i Verërave në Beograd shërbeu jo vetëm për promovimin e kantinave, por dhe si një urë lidhëse mes prodhuesve të rajonit dhe vizitorëve ndërkombëtar, shkëmbim të eksperiencës në prodhim dhe si një mekanizëm më shumë për të eliminuar barrierat në tregtinë rajonale mes tre vendeve. Vreshtaria dhe verëtaria mbeten në fokus të qeverisë shqiptare për të nxitur zhvillimin e sektorit. Nëpërmjet programeve të mbështetjes nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, kantinat vendase kanë përfituar financim për rikonstruksion dhe ngritje ambientesh për, linja dhe makineri për paketimin dhe standardizimin, investime të cilat kanë shërbyer në përmirësimin e cilësisë së verës. “Panairi i Verërave” do të përsëritet çdo vit midis vendeve të rajonit të “Ballkanit të Hapur”, si një nismë më shumë për hapjen dhe për fuqizimin ekonomik të vendeve.http://ata.gov.al/2022/09/04/panairi-i-veres-ne-beograd-12-medalje-per-vererat-shqiptare/