Agjencia Kombëtare e Mjedisit nëpërmjet Agjencive Rajonale të Mjedisit, në 26-28 shtator ka realizuar inspektime dhe kontrolle në të gjithë territorin në subjektet që prodhojnë qese plastike. Inspektimet konsistuan në kontrollin e subjekteve që prodhojnë qese plastike mbajtëse në lidhje me zbatueshmërinë e ligjit për ndalimin e prodhimit të qeseve plastike mbajtëse transportuese me ose pa vesh, e prodhuar nga plastika, me trashësi për çdo anë më të vogël se 70 mikron dhe me kapacitet mbajtës më të vogël se 10 kilogram, me përmasa më të vogla se 50 cm gjatësi dhe 24 cm gjerësi pa përfshirë gjerësinë e palosjeve. “Në total u kryen 11 inspektime dhe mbi bazën e tyre është marrë masë administrative në vlerë 500,000 lekë ndaj subjektit “Adriatik Çuka” në qytetin e Korçës”, tha AKM. Agjencia Kombëtare e Mjedisit, në kuadër të zbatimit të parashikimeve ligjore dhe nënligjore në fuqi, mbi mënyrën e prodhimit të produktit qese plastike mbajtëse, do të vijojë kontrollin dhe inspektimin periodik ndaj të gjithë subjekteve që operojnë në këtë fushë veprimtarie. Që prej 1 korrikut të këtij viti inspektorët e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit janë çdo ditë në terren për të kontrolluar prodhuesit e qeseve plastike. Qeset që ndalohen janë ato njëpërdorimëshe mbajtëse, me trashësi më të vogël se 70 mikron dhe kapacitet më pak se 10 kilogramë. Sipas ndryshimeve ligjore, importimi, prodhimi dhe hedhja në treg e qeseve që nuk plotësojnë standardet e reja dënohet me gjobë nga 500 000 deri në 1,500,000 lekë, me sekuestrim të qeseve dhe deri në heqje të licencës së aktivitetit. Kontrollet po zhvillohen në kuadër të zbatimit të ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, si dhe VKM-së “Për përcaktimin e masave të hollësishme dhe institucioneve përgjegjëse për ndalimin e përdorimit, hedhjes në treg, prodhimit, importimit apo futjes në territorin e RSH të qeseve plastike mbajtëse”.https://ata.gov.al/2022/09/29/akm-11-inspektime-ne-subjektet-qe-prodhojne-qese-plastike/