Zvogëlohet numri i të punësuarve në Kosovë

0
5

Numri i përgjithshëm i të punësuarve në vitin 2023 ka shënuar rënie drastike në Kosovë. Shprehur në numra, për 28 mijë e 85 vende është ulur numri i të punësuarve në muajin prill të këtij viti krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2022. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në tremujorin e parë (TM1) të vitit 2022 kanë qenë të punësuar 388 mijë 531 persona, ndërsa, ky numër në prill të vitit 2023 ka rënë në 360 mijë e 446 qytetarë. “Në muajin prill, të punësuar me pagë primare janë regjistruar 360 mijë e 446 persona”, thuhet në raportin e fundit të ASK-së për Statistikat Administrative të Tregut Punës për muajin prill 2023. Ndërsa, nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve nuk u përgjigjën për KosovaPress se kush janë shkaktarët që kanë çuar ne rënien e punësimit këtë vit. Në anën tjetër, në Qeverinë e Kosovës vazhdojnë të deklarojnë se ka rritje të punësimit e rënie të papunësisë. Por, as projekti “SuperPuna” që me pompozitet po prezantohet nga Qeveria për rritje të punësimit duket se nuk ka ndikuar në uljen e papunësisë. atsh