Drejtori i Gatishmërisë dhe Koordinimit të Përgjigjes Emergjente, Leonard Qyra foli sot për situatën e zjarreve në Shëngjin, ndërsa informoi se “Agjencia e Mbrojtjes Civile ka angazhuar të gjithë kapacitetin e saj në terren dhe po punohet me kujdes maksimal, për të vënë flakët nën kontroll“.

Në një intervistë televizive, Qyra u shpreh se bashkia e Lezhës prej disa ditësh është duke u përballur me disa vatra zjarresh dhe nuk ishte vetëm kjo vatër.

“Era ka favorizuar përhapjen e flakëve. Agjencia e Mbrojtës Civile ka angazhuar të gjithë kapacitetet operacionale. Janë angazhuar dhe Forcat e Armatosura me helikopterin “Cougar”, tha ai.

Ai shtoi se aktualisht është bërë rifreskimi i forcave në terren dhe po punohet në zonat, ku dhe rreziku i përhapjen se flakëve është më i lartë. Sipas tij, në gjithë Shqipërinë janë dy pika të nxehta sa i takon vatrave të zjarrit.

“Aktualisht kemi bërë rifreskimin e forcave, sepse forcat kanë punuar 24 orë pa pushim. Kemi vlerësuar situatë pasi kemi evidentuar ato zona, që paraqesin rrezik për banorët. Mbrëmja e kaluar ka qenë intensive, jemi detyruar që për arsye sigurie të evakuojmë një pjesë pasi forcat operacionale të kishin më shumë akses. Kemi shtuar forcat në terren dhe mendoj se nuk do ketë rrezik për banesat dhe qytetarët. Vëmendja kryesore e kemi në Shëngjin dhe Gjirokastër, pasi përbëjnë risk, sepse bëhet fjalë për zonat e banuara. Pika të nxehta aktualisht janë Shëngjini dhe Gjirokastra”, tha ai.

Ai theksoi se gjatë të mërkurës, dy avionë të ardhur nga Italia do jenë në ndihmë për shuarjen e flakëve bashkë me helikopterin e ushtrisë. Më tej, Qyra kërkoi nga banorët që të mos përhapin panik dhe të bashkëpunojnë kur është e arsyeshme me ekipet në terren.

“Edhe nesër do të aktivizojmë dy avionët “Canadair” dhe helikopteri “Cougar” dhe nesër besojmë se do ta shuajmë këtë vatër”, tha ai. / abacnews.al/