Të paktën tre persona kanë vdekur dhe 17 të tjerë janë plagosur nga zjarret që kane shpërthyer në të gjithë Portugalinë, njoftuan sot autoritetet.
Më herët, një zjarrfikës u raportua se kishte vdekur nga një atak në zemër dhe katër të tjerë ishin plagosur nga zjarret që kanë shpërthyer në pjesë të ndryshme të Portugalisë.
Më shumë se 1600 zjarrfikës janë angazhuar në terren, në situatën më të keqe në rrethin bregdetar, Aveiro në veri të vendit, ku po digjen tre zjarre të mëdha dhe një numër zjarresh më të vogla.
Të paktën dy shtëpi morën flakë në Albergaria-a-Velha, një qytet me rreth 25,000 banorë 60 kilometra në jug të Portos.
“Evakuimet tashmë kanë filluar”, tha kryetari i bashkisë së qytetit, Antonio Loureiro.
Tymi nga zjarret kishte errësuar qiellin mbi kryeqytetin rajonal të Aveiro dhe qytete të tjera në rajon.
Autoritetet thanë se të gjitha zjarret në Aveiro kishin shpërthyer të dielën në mbrëmje, por shkaqet nuk dihen ende.
“Pothuajse 800 zjarrfikës janë vendosur në terren për të luftuar tre zjarret më të mëdha në Aveiro – në Albergaria-a-Velha, Oliveira de Azemeis dhe Sever do Vouga”, tha agjencia e mbrojtjes civile e Portugalisë ANEPC.
ANEPC tha se kishin marrë mbështetje edhe nga vende të tjera në kuadër të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian.
Zjarre të mëdha u raportuan edhe në rajone të tjera, duke përfshirë në Castelo Branco pranë kufirit spanjoll, dhe një paralajmërim për zjarre ishte në fuqi në të gjithë Portugalinë kontinentale.
Portugalia është kursyer kryesisht nga zjarret këtë vit. Deri më 31 gusht, ishte prekur rreth 10,000 hektarë tokë – shifra më e ulët për periudhën janar-gusht që nga viti 2014.