“Qeveria Gjermane dhe Bashkëpunimi për Zhvillim Gjerman GIZ, janë partnerë të ngushtë në zhvillimin dhe modernizimin e bujqësisë shqiptare”. Kështu u shpreh ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca, në takimin që u zhvillua në Tiranë, në prezantin e fazës së dytë të projektit “Zhvillim i Qëndrueshëm Rural”, financuar nga Qeveria Gjermane dhe Zvicerane dhe zbatuar nga GIZ Shqipëri, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit. Krifca tha se “kemi punuar fort, bashkarisht, për t’i dhënë jetë një programi të ri mbi Zhvillimin e Qëndrueshëm Rural i cili përqendrohet mbi prodhimin në serra, frutat dhe arrorët, zhvillimin e produkteve të certifikuara dhe fuqizimin e eksporteve bujqësore, modernizimin e sektorit të bimëve mjekësore dhe aromatike, rritjen e sigurisë ushqimore, promovimin e produkteve tipike dhe të origjinës si dhe fuqizimin e agroturizmit”. Ministrja vuri në dukje se mbështetjes për zhvillimin rural në Shqipëri i është bashkuar edhe qeveria zvicerane. “Na bashkohet për herë të parë në këtë program edhe Qeveria Zvicerane me fokus të veçantë në blegtori- kujdesin në ferma blegtorale për mirëqënien e kafshëve, ruajtjen e qumështit me enë inoksi, paketimi, njehësimin e standarteve, marketimi dhe rritja e aksesit në treg për të forcuar zinxhirët e prodhimit e tregëtimit e për të sjellë më shumë të ardhura për blegtorët tanë”, u shpreh Krifca. Projekti synon të nxisë rritjen e konkurrueshmërisë dhe të ardhurave në zonat rurale përgjatë zbatimit të tij në katër vitet e ardhshme (2023-2026), duke kontribuar më gjerë në zhvillimin e qëndrueshëm në vend. Duke punuar ngushtësisht me bizneset dhe qeverinë shqiptare, projekti do të mbështesë hartimin e politikave zhvillimore dhe praktikat inovatore në bujqësi dhe në turizmin rural, duke promovuar rritjen e gjelbër, digjitalizimin dhe diversitetin, në përputhje me procesin e pranimit të vendit në BE. Paralelisht me mbështetjen në sektorin bujqësor, projekti synon promovimin e turizmit rural me fokus agroturizmin, turizmin e aventurës dhe menaxhimin e destinacioneve turistike. atsh
“Zhvillim i Qëndrueshëm Rural”, fuqizim i eksporteve bujqësore
RELATED ARTICLES