Projekti “Zhvillim i qëndrueshëm i turizmit rurale”, që mbështetet nga qeveria shqiptare dhe GIZ, ka në fokus të tij, mbështetjen e ideve inovative për një produkt turistik që lidhet me natyrën, trashëgiminë kulturore, kulinarinë apo aventurën në zonat rurale. GIZ bën të ditur se, “në platformën Tourism Inovation Platform (TIP) aplikuan 6 ide të forta vlonjate, që shkonin anës lumit të Shushicës, kalonin fusha e male, derdheshin në det dhe ku nuk mungoi dollia aq e famshme e këtij rajoni”. GIZ do të mbështesë 3 ide për zhvillim në produkte turistike të reja në qarkun e Vlorës për vitin që vjen, “Via Ferrata mbi Urën e Bratajve”, “Shtigjet e Ullirit”, dhe “Një Dolli nga Labëria”. Platforma “Tip”, pas Vlorës do të vijojë me aplikimet në rajonin e Dibrës. “Tourism Inovation Platform (TIP) është një mundësi e veçantë për të kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit rural në Shqipëri. Aplikantët i paraqesin idetë e tyre në adresën tip.com.al dhe pas shqyrtimit nga ekspertët e fushës, shpallen fitues ato ide që përmbushin kriteret dhe përfitojnë mentorim dhe mbështetje financiare”, thuhet në njoftimin e projektit “Zhvillim i qëndrueshëm i turizmit rural” . Aplikimet janë të hapura për profesionistë të turizmit rural (individë ose biznese) dhe kanë status aktiv. Ndërkohë që produktet turistike që do të propozohen duhet të zbatohen vetëm në qarqet e Tiranës, Shkodrës, Vlorës, Gjirokastrës, Korçës, dhe Dibrës. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka në fokus të veçantë mbështetjen e fermerëve të vegjël, sipërmarrës të vegjël dhe shumë të vegjël që veprojnë në fushën e bujqësisë agroturizmit apo sektor të tjerë rural, ku parashikon të adresojë dhe kontributin e donatorëve, konkretisht të këtij projekti, si një vlerë e shtuar për ringritjen e këtij grupimi rural.