Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, vazhdon të insistojë se fillimisht duhet të hiqen masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës dhe pastaj të shpallen zgjedhjet në veri. Sipas tyre, për të pasur barazi në dialog me Serbinë, duhet të hiqen masat e vëna padrejtësisht ndaj Kosovës dhe pastaj të niset me procedurat të tjera. Mirëpo, qasjen e tillë e kritikojnë në partinë më të madhe opoziare, PDK, ndërsa analistët politik kërkojnë një zgjidhje ku nuk lëndohet demokracia në veri por as dëmtohen raportet me aleatë. Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila thotë për KosovaPress se procesi zgjedhor në veri duhet të jetë i lirë, fer dhe me qasje të të gjithëve. “Procesi zgjedhor është një proces që duhet të karakterizohet me atmosferë të lirë, ferë dhe qasje të të gjithëve në procesin zgjedhor, kjo përbënë themelin e demokracisë. Kushtëzimi i një procesi të tillë në kuptimin e masave ndaj Kosovës dhe në efekt ndaj tërë qytetarëve të Republikës së vendit paraqet një kundërthënie të llojit të vet. Në asnjë moment Kosova s’ka qenë ajo që ka shkaktuar eskalimin e situatës, iniciuar dhunën apo provokuar që atje të eskalohet situata…Për të qenë në një situatë dhe rrafsh të barabartë ku kërkohet edhe kthim në dialog dhe natyrisht edhe barazi ndërmjet palëve, heqja e masave është e para dhe pastaj vijnë procedurat të tjera”, thotë ajo. Kritik ndaj këtyre qëndrimeve të pushtetit në raport me Bashkimin Evropian është anëtari i Kryesisë së PDK-së, Zenun Pajaziti. Ai thotë për KosovaPress se nuk mund të paragjykojnë secila do të jetë zgjidhja për dërgimin në zgjedhje të katër komunave në veri, por kryetarët nga radhët e PDK-së nuk do të jenë bllokues “Kryetarët e PDK-së që janë atje nuk do të jenë bllokues. Ata do të jenë siç është PDK-ja, ne mbetemi të vendosur se procesi i normalizimit të kësaj situate duhet të bëhet në koordinim të plotë me partnerët. Nuk e di se cila do të jetë zgjidhja, por PDK-ja nuk do t’i prijë këtij procesi, pasi nuk janë problem kryetarët e PDK-së atje, por problem është kjo qeveri”, deklaron ai. Në anën tjetër, analisti politik Visar Xani thotë se ekzekutivi duhet të gjejë një zgjidhje për shpalljen e zgjedhjeve në veri gjatë vjeshtës, qoftë me peticion apo dorëheqje të kryetarëve aktual. “Për Kosovën tani është një sfidë, pasi këto kërkesa politike duhet adaptuar dhe gjetur një zgjidhje më e përshtatshme me qëllim që mos të lëndojmë demokracinë në këtë proces. Të gjendet mundësia se si mund të organizohen këto zgjedhje pa u lënduar demokracia. Ndoshta kontaktet direkt me kryetarët e zgjedhur në pjesën veriore të Kosovës do të ishte një alternativë e mirë, për shkak se interesi nacional edhe një herë duhet mirëkuptuar edhe për shkak të kërkesave të panatyrshme politike, por që duhet garantuar edhe një proces me pjesëmarrje të serbëve ku nuk ka bojkotim. Ndryshe edhe faktori ndërkombëtar duhet të bëjë të qartë se nëse serbët nuk marrin pjesë në këto zgjedhje, atëherë kushdo që i fiton këto zgjedhje edhe me dhjetëra vota do të duhej të ishte i pranueshëm me qëllim që të ketë një përmbyllje të këtij procesi”, shton ai. Kushtëzimin ndaj Bashkimt Evropian për shpallje të zgjedhjeve në veri e ka potencuar gjatë kësaj jave edhe kryeministri Albin Kurti. Ndërkaq, në Bashkimin Evropian kanë kërkuar nga pala kosovare të ndërmarrë hapa për shpalljen e zgjedhjeve sa më shpejt që të jetë e mundur në veri, por pa përmendur mundësitë e largimit të masave ndëshkuese. atsh
Zgjedhjet në veri, LVV kërkon fillimisht largim të masave
RELATED ARTICLES