Situata në vijën e frontit në Ukrainë është “shumë sfiduese”, tha presidenti Volodymyr Zelensky në fjalimin e tij të djeshëm të mbrëmjes.

”Forcat e Ukrainës duhet të bëjnë gjithçka që munden në muajt e ardhshëm”, tha Zelensky.

”Gjëja më e rëndësishme është të bëjmë presion mbi Rusinë duke përdorur të gjitha mjetet në dispozicion për të arritur qëllimin tonë për një paqe të vërtetë dhe të drejtë për Ukrainën dhe të gjithë popullin tonë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ai.

“Gjithçka që mund të bëhet këtë vjeshtë, gjithçka që mund të arrijmë, duhet të arrijmë. Dhe kjo varet nga të gjithë në ekipin ukrainas”, theksoi ai.

Zelensky tha se Ukraina ishte e zënë me përgatitjet për takimin e nivelit të lartë të presidentit amerikan Joe Biden me rreth 50 vende në bazën ajrore të ushtrisë amerikane ”Ramstein”, në Gjermaninë jugperëndimore.

”Ata do të marrin të gjitha detajet dhe argumentet nga ana jonë se si të sigurojmë rezultate në muajt e ardhshëm si në front ashtu edhe në punën diplomatike”, tha Zelensky.

Biden do të jetë në Gjermani në tetor dhe ka ftuar mbështetësit e Ukrainës të marrin pjesë në një takim në vend gjatë asaj kohe.

Takime të tilla janë zhvilluar shpesh në ”Ramstein” që nga pushtimi rus i Ukrainës, por deri më tani vetëm në nivelin e ministrave të mbrojtjes.

Qëllimi është të koordinojë ndihmën ushtarake për Ukrainën