Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky deklaroi për gazetën amerikane ”Washington Post” se qeveria amerikane nuk e kishte informuar në kohë për publikimin e informacioneve shumë të rëndësishme sekrete.
“Unë nuk kam marrë informacion paraprak nga Shtëpia e Bardhë apo Pentagoni. Ne nuk i kishim ato informacione. Personalisht, nuk i kisha. Përfundimisht lë një shije të keqe”, shtoi Zelensky.
Një grumbull dokumentesh të klasifikuara të Pentagonit kanë qarkulluar në internet për javë të tëra pasi u postuan në aplikacionin Discord.
Ato përmbajnë informacione, ndër të tjera, mbi luftën që Rusia po bën kundër Ukrainës si dhe detaje të operacioneve të supozuara spiunazhi të SHBA-së kundër partnerëve.
Një oficer ushtarak 21-vjeçar dyshohet se ka postuar dokumentet.
Specialisti i IT-së akuzohet për heqje, ruajtje dhe transmetim të paautorizuar të materialeve sekrete dhe informacioneve të mbrojtjes kombëtare. Ai u arrestua në Masaçusets më 13 prill.
Zelensky tha se rrjedhja “është e padobishme” për Kievin.
“Kjo nuk është e dobishme për reputacionin e Shtëpisë së Bardhë dhe unë besoj se nuk është e dobishme për reputacionin e SHBA-së”, shtoi ai.
WP, duke cituar dokumentet dhe burimet e zbuluara, raportoi se Uashingtoni shprehu dyshime për suksesin e shpresuar të një kundërofensive të pritshme pranverore nga Kievi për të rimarrë territorin e kontrolluar nga Rusia.
Në intervistë, Zelensky tha se SHBA mbështet Ukrainën në konflikt.
“Aty ku mund të flas sinqerisht, e bëj. Por, ka rreziqe të mëdha”, shtoi ai.
SHBA-ja konsiderohet aleatja më e rëndësishme e Kievit në luftën kundër Rusisë, e cila filloi një pushtim në shkallë të plotë mbi një vit më parë dhe ka ofruar ndihmë ushtarake me vlerë miliarda dollarë