Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky zhvilloi sot një bisedë telefonike me liderin francez, Emmanuel Macron ku diskutuan mundësinë e një pakete të re armësh. Zelensky e informoi Macron për situatën në vijën e parë dhe perspektivat e zhvillimit të saj në maj-qershor, si dhe për nevojat prioritare të Forcave të Mbrojtjes të Ukrainës. Një çështje tjetër e diskutimit ishte bashkëpunimi midis Kievit dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë për të konsoliduar mbështetjen e tyre për “formulën e paqes” në Ukrainë. “Është shumë e rëndësishme që Rusia të marrë sinjale gjithnjë e më të forta se bota nuk do ta falë terrorin e Rusisë”, tha Zelensky. “Ukraina dhe partnerët e saj duhet të veprojnë me unitetin dhe integritetin më të madh të mundshëm për të mbrojtur vlerat tona të përbashkëta, dhe për të shmangur zgjatjen e luftës”, shtoi ai. Zelensky falënderoi aleatët ndërkombëtarë të vendit të tij për dërgesat e armëve, fondeve dhe ndihmave të tjera në mbështetje të luftës së tyre kundër forcave ruse. Presidenti ukrainas falënderoi Danimarkën për obuset, Slloveninë për automjetet e blinduara, Spanjën për tanket dhe Gjermaninë për dërgimin e planifikuar të më shumë automjeteve të blinduara. “Ukraina do të marrë 1.25 miliardë dollarë nga SHBA-ja për të mbështetur buxhetin e saj”, shtoi Zelensky. “Holanda po përgatitet për të trajnuar ushtarët ukrainas në sistemet moderne të armëve, Kroacia do të trajtojë ushtarët e plagosur, ndërsa Italia do të ndihmojë në rindërtimin e zonave të dëmtuara të Ukrainës”, shtoi ai. atsh