Brenda piramidës së Keopsit (Piramida e mbretit Khufu), e cila është më e madhja në mesin e piramidave të Gizës, në perëndim të kryeqytetit të Egjiptit, Kajro, është zbuluar një kalim i ri sekret për të cilin mendohet se çon në dhomën e varrit të mbretit. Ministri i Turizmit dhe Antikiteteve, Ahmed Issa, zhvilloi një konferencë për media pranë piramidës së Keopsit, në kuadër të zbulimit të rezultateve të Projektit të Eksplorimit të Piramidave. Gjatë gërmimeve në kuadër të projektit, Issa tha se brenda piramidës së Keopsit është zbuluar një kalim me përmasa 9×2,1 metra. Ministri egjiptian tha se zbulimi është bërë në kuadër të punimeve të Ministrisë së Turizmit dhe Antikiteteve, Këshillit të Lartë të Antikiteteve dhe Universitetit të Kajros, së bashku me universitetet ndërkombëtare nga SHBA-ja, Franca, Gjermania, Japonia dhe Kanadaja. Arkeologu egjiptian Zahi Hawass, pjesëmarrës në projekt, tha se janë përballë një zbulimi shumë të rëndësishëm brenda piramidës së Keopsit dhe se ky zbulim do të ketë një jehonë të madhe në botë. “Mendoj se dhoma e varrimit të mbretit Khufu nuk është gjetur dhe ky kalim mbron këtë dhomë. Duhet të përfundojmë hulumtimin për të nxjerrë në dritë më shumë sekrete”, tha ai. Rektori i Universitetit të Kajros, Muhammad Elkhosht tha se ky kalim sekret është zbuluar si rezultat i një punimi të pandalur 7-vjeçar. Ai bëri të ditur se zbrazëtia për herë të parë është gjetur në vitin 2016 nga ekipi hulumtues dhe se kjo është konfirmuar në vitet 2017, 2018 dhe 2019 duke përdorur 5 teknika. Piramida e Keopsit, e quajtur gjithashtu edhe pas mbretit Khufu, i cili jetoi në Egjipt gjatë Dinastisë së 4-t Faraonike, mendohet të jetë ndërtuar midis viteve 2566-2589 para Krishtit. Piramida e cila është një nga shtatë mrrekullitë e botës, është e lartë 140 metra dhe është më e madhja në mesin e piramidave të Gizës. atsh
Zbulohet kalim i ri sekret brenda piramidës së Keopsit
RELATED ARTICLES