Arkeologët kanë gjetur dëshminë e parë në botë të një amputimi të suksesshëm kirurgjikal, në një varr në Borneo, 24 000 vjet më parë se shembulli më i hershëm i njohur i një procedure të ngjashme. Arkeologët nga universitetet australiane dhe institucionet indoneziane kanë zbuluar skeletin e një të riu nga Borneo, këmba e poshtme e majtë e të cilit ishte amputuar në fëmijëri 31 000 vjet më parë. “Teknikat e shumëfishta konfirmuan se varrimi ndodhi 31 000 vjet më parë duke e bërë atë varrin më të vjetër të njohur në Azinë Juglindore”, theksuan shkencëtarët përmes një deklarate. “Analizat e skeletit konfirmuan se gjymtyra e poshtme e majtë ishte amputuar në mënyrë kirurgjikale; mënyra se si kocka kishte ndryshuar me kalimin e kohës (e njohur si ‘rimodelimi i kockave’) korrespondonte me rastet klinike të amputimit të suksesshëm që nuk ishin të infektuar,” shtuan ata. Sipas arkeologëve, kocka e shëruar konfirmoi se procedura nuk ishte fatale për pacientin dhe la të kuptohej se “kirurgu ose kirurgët ndoshta e kuptuan nevojën për ta menaxhuar dhe trajtuar”. Shkencëtarët thanë se zbulimi sugjeron se njohuritë mjekësore njerëzore ishin “shumë më të avancuara në të kaluarën e largët të specieve tona sesa mendohej më parë”. Mbetjet u gjetën në shpellën Liang Tebo në Borneo lindore, e cila ishte ende e lidhur me Euroazinë në atë kohë.
Zbulohet dëshmia e parë në botë
RELATED ARTICLES