Falë analizës së 250 milionë proteinave nga 35 000 mostra, një nga më të mëdhatë e kryera ndonjëherë, janë zbuluar treguesit e sëmundjeve kryesore neurodegjenerative, asaj të Alzheimerit dhe Parkinsonit.

Po ashtu janë zbuluar edhe skleroza laterale amiotrofike (ALS) dhe demenca frontotemporale, një grup sëmundjesh që prekin këtë zonë të trurit, duke ndryshuar sjelljen, personalitetin dhe gjuhën.

Ky rezultat i rëndësishëm, i cili hap rrugën për diagnoza gjithnjë e më të hershme dhe terapi më efektive, u botua në pesë artikuj në revistat ”Nature Medicine” dhe ”Nature Aging” nga ”Global Neurodegeneration Proteomics Consortium” (GNPC), një iniciativë që bashkon studiues nga e gjithë bota me qëllim përmirësimin e kuptimit tonë të mekanizmave që qëndrojnë në themel të këtyre çrregullimeve.

Sëmundjet neurodegjenerative përfaqësojnë një problem gjithnjë e më sfidues.

Ato prekin mbi 57 milionë njerëz në të gjithë botën, një shifër që pritet të dyfishohet çdo 20 vjet.

Identifikimi i hershëm i këtyre çrregullimeve është një nga qëllimet më të rëndësishme, por gjetja e bioshënuesve të tyre deri më tani ka qenë e vështirë për shkak të mungesës së grupeve të të dhënave mjaftueshëm të mëdha.

Ky problem tani është kapërcyer falë analizës së gjerë të paraqitur në ”Nature Medicine” në studimin kryesor të udhëhequr nga Farhad Imam i ”Gates Ventures”, kompania e themeluar nga Bill Gates që përqendrohet në kërkime në fushat e ndryshimeve klimatike, energjisë së pastër dhe sëmundjeve neurodegjenerative.