Yield-et e bonove 12-mujore shënuan një tjetër rënie të ndjeshme në ankandin e kësaj jave, bëri të ditur Banka e Shqipërisë. Sipas Bankës së Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar zbriti në 4.44%, nga 4.86% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm të datës 31 janar. Pjesëmarrja e investitorëve në ankand rezultoi sërish e lartë dhe shuma totale e kërkesave të paraqitura arriti në 20.4 miliardë lekë, nga 11 miliardë lekë që kishte qenë shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE). Rënie pësoi edhe yield-i mesatar i ponderuar i bonove me maturim 3-mujor, që zbriti në 2.76%, nga 3.03% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm. Edhe këtu kërkesa e investitorëve ishte më e lartë shuma prej 1.5 miliardë lekësh e shpallur për financim nga qeveria shqiptare. Tregu primar i letrave me vlerë të qeverisë shqiptare po vijon korrektimin nga rritja shumë e fortë e yield-eve që u vërejt vitin e kaluar, për shkak të ritmit të shpejtë të rritjes së normave të interesit nga Banka e Shqipërisë. Një element i dukshëm që po mbështet uljen e yield-eve është rritja e pjesëmarrjes së investitorëve në ankande. atsh