Zyrtarët e memorialit ”Yad Vashem” deklaruan se kanë identifikuar me emër pesë milionë viktima hebreje të Holokaustit të shfarosur nga Gjermania naziste, një moment historik pas shtatë dekadash kërkimesh dhe dokumentimesh.
”Emrat janë të regjistruar në bazën qendrore të të dhënave të ‘Yad Vashem’, e disponueshme në internet në gjashtë gjuhë”, theksoi institucioni në një deklaratë.
Arkivi gjithashtu përmban qindra mijëra “faqe dëshmie” individuale që dokumentojnë jetën dhe fatet e viktimave, duke ndihmuar shumë familje të gjurmojnë të afërmit e zhdukur dhe të përkujtojnë të dashurit e tyre.
Afërsisht një milion viktima të Holokaustit mbeten të paidentifikuara dhe shumë prej tyre ka të ngjarë të mbeten të tilla përgjithmonë.
Studimet tani po përdorin inteligjencën artificiale dhe të mësuarit automatik për të zbuluar deri në 250 000 emra të tjerë.
“Arritja e pesë milionë emrave është si një moment historik ashtu edhe një kujtesë për punën tonë të papërfunduar”, theksoi presidenti i Yad Vashem, Dani Dayan.
“Pas çdo emri fshihet një jetë që mbartte kuptim të thellë: një fëmijë që nuk u rrit kurrë, një prind që nuk u kthye kurrë në shtëpi, një zë i heshtur përgjithmonë. Është detyra jonë morale të sigurohemi që çdo viktimë të mbahet mend, në mënyrë që askush të mos mbetet pas në errësirën e anonimitetit”, shtoi ai.





