Kjo perlë e arkitekturës osmane, e ndërtuar në vitet 1773-1774, konsiderohet xhamia më e madhe osmane në Shqipëri dhe mban statusin Monument Kulture i Kategorisë së Parë.
Është e vetmja xhami në Shqipëri me stil tipik osman që përfshin një oborr të brendshëm me kolona (portik).
Xhamia e Plumbit u ndërtua në vitet 1773-1774 nga Mehmet Pashë Bushatlliu, sipas modelit të arkitekt Sinanit. Ajo u shpall Monument Kulture në vitin 1973 dhe është e vetmja xhami e ngelur në këtë zonë nga periudha osmane.
Ndërhyrja e fundit në këtë xhami është bërë në vitin 1865, pas përmbytjes së madhe të Shkodrës.
Projekti i rivitalizimit përfshiu restaurimin e thelluar të strukturës së xhamisë, si dhe transformimin e hapësirës përreth, duke i dhënë zonës një dimension të ri estetik dhe funksional. Krahas ndërhyrjeve në objekt, është punuar edhe për sistemimin dhe restaurimin e pjesës së jashtme, me qëllim ruajtjen e autenticitetit dhe vlerave historike të saj.
Xhamia është kthyer pas restaurimit në tjetër atraksion të rëndësishëm turistik për Shkodrën, duke kontribuar në promovimin e trashëgimisë kulturore dhe zhvillimin e turizmit në rajon.





