Në një prononcim për mediet, Xhakolli bëri më dije se grupet e emergjencave kanë shkuar në të gjitha shtëpitë e prekura nga përmbytjet.

Xhakolli theksoi se janë siguruar shtëpi me qira për banorët që janë prekur nga tërmeti, deri në momentin që do të sigurohen banesat.

“Ka rreth 24 orë që e gjithë bashkia është në këmbë, të gjitha grupet e emergjencave janë ndarë sepse nuk është vetëm Buçimasi pra kjo njësi administrative, por në fakt kjo është prekur më shumë sepse ka edhe një pjesë të konsiderueshme në qytet, edhe në zonën e Mokrës por edhe në zonën e Gorës.

“Sigurisht që këtu prandaj jam edhe sot ka më shumë probleme se në zonat e tjera, ne kemi vajtur me grupet e punës nëpër të gjitha shtëpitë e prekura nga përmbytja, patjetër që bashkia do marrë në konsideratë kërkesën e tyre, por nuk kemi pse t’i lëmë në një gjendje të tillë, kemi siguruar që ata të marrin shtëpi me qira deri në momentin që do sigurohen shtëpitë, patjetër që bashkia do jetë në gatishmëri edhe sot, sepse edhe parashikimet kështu janë”, tha ai.

Xhakolli tha se nesër vjen grupi i inxhinierëve për të bërë projektin e shtëpive të dëmtuara.

“Lajmërojmë edhe qytetarët të jenë të gatshëm dhe në bashkëpunim me komunitetin bashkia mund të bëjë gjithçka. Ne jemi të gatshëm ndaj ftoj dhe qytetarët për çdo problem të marrin kryetarët e njësive administrative, koordinatorët. Dy banesa janë jashtë funksionit, të dyja familjet janë të sistemuara me bonus qiraje. Nesër vjen grupi i inxhinierëve për të bërë projektin e shtëpive të tyre për pjesën që do riparohet dhe besoj në një kohë rekord ata do kthehen në banesat e tyre”, tha ai.

Xhakolli shtoi se “dy lumenjtë i Vërdovës dhe i Rëmenjit janë më problematikët të dyja rrjedhin në liqenin e Pogradecit, ne për to kemi hartuar projekte sepse në momente të tilla bëhen të rrezikshme për qytetarët”.