I moshuar dhe i sëmurë, por me një të ardhme që gjithmonë e përfshin në punë dhe ndoshta edhe me një film të 51-të, të xhiruar në Madrid.
Një Woody Allen reflektues përgatitet për ditëlindjen e tij të 90-të, të cilën nuk do ta festojë më 30 nëntor, sepse, siç thotë vetë ai, ”nuk jam më 25 vjeç, nuk është një kohë aq e lumtur për të festuar”.
Regjisori i filmave ikonikë si ”Take the Money and Run”, ”Annie Hall”, ”Hannah and Her Sisters” dhe ”Play It Again Sam”, Allen ishte i ftuari special në Radio2 Social Club, të prezantuar nga Luca Barbarossa dhe Ema Stokholma, pikërisht kur ”Variety” po raportonte në SHBA për ”El Pais” se, pa asnjë qëllim për ta fikur kamerën e tij, Allen ka marrë 1,5 milionë euro fonde nga qeveria rajonale e Madridit me kusht që kryeqyteti spanjoll të jetë fokusi i xhirimeve, por gjithashtu – sipas kontratës – të përfshihet në titullin e filmit të tij të ri.
Woody, i cili këtë vit botoi romanin e tij të parë ”What’s Happening to Baum?”, kishte lënë të kuptohet tre vjet më parë se ”Coup de Chance”, i xhiruar në Paris dhe i prezantuar në Venecia në vitin 2023, do të ishte filmi i tij i fundit, pjesërisht sepse fituesi katër herë i çmimit Oscar ishte bërë ”persona non grata” në Hollywood, pas akuzave për ngacmim seksual, të ringjallura në mes të lëvizjes #MeToo nga vajza e tij e adoptuar dhe tani e rritur, Dylan.
Kurrë mos thuaj kurrë.
Shuma, megjithëse e konsiderueshme, nga autoritetet e Madridit nuk është e mjaftueshme për të financuar plotësisht një film të Allen, edhe pse regjisori duket se tashmë ka mbështetës të tjerë.
Kontributi do të paguhet në tre këste, me një pjesë që do të mbërrijë vetëm pas debutimit të filmit në një festival.
Titulli i përkohshëm për momentin është ”Wasp 2026”, thënë ndryshe akronim i togfjalëshit Woody Allen Summer Project.
Në Radio 2, Allen shpjegoi virtytet e të qenit i zënë si një burrë i moshuar.
”Puna është ta largosh mendjen tënde dhe ta distancosh atë nga problemet më serioze të jetës. Kjo kërkon kohë për të menduar, duke e mbajtur mendjen të zënë dhe larg gjërave vërtet serioze dhe shqetësuese në jetë”, tha ai.
Mizoria e pleqërisë shkëlqen në fjalët e regjisorit, kur thotë se “padyshim, sëmundjet shtohen. Nuk ndiej asnjë lehtësim kur plakem. Ata thonë se bëhesh më inteligjent, më i mençur, por në realitet, trupi yt zhvillon gjithnjë e më shumë vështirësi. Është e trishtueshme, por nuk kemi zgjidhje tjetër”.
Duke e hedhur poshtë ekzistencën e një jete të përtejme si të pamundur, Woody shpreh dëshirën e tij që, në atë që i ka mbetur nga ditët e tij, ai dhe familja e tij të kenë shëndet të mirë.
“Nuk më intereson pamja fizike apo të qenit i talentuar. Gjëja e rëndësishme është të jesh në formë dhe të kesh një familje që të do”, thekson ai.
Në sfond mbetet tronditja e ndarjes nga jeta të Diane Keaton, ish-partneres dhe muzës së tij.
“Ajo ishte një pjesë e madhe e jetës sime. E doja, jetonim së bashku dhe ajo ishte gjithmonë shoqja ime e ngushtë. Ajo gjithashtu pati një ndikim të madh në punën time, të cilën gjithmonë doja ta ndaja me të dhe të merrja mendimin e saj para se të bëja filma, madje edhe pas saj. Qesha aq shumë me të, miliona herë. Pjesa më e madhe e pikëpamjes sime për jetën është sikur ta kisha parë përmes syve të saj”, përfundon regjisori i famshëm





